Archive for the ‘Konflikti i Interesit’ category

Tryezë në Klinë “Parandalimi i Konfliktet e interesit në institucionet publike”

April 14, 2010
Klinë, 13 prill 2010 – Lëvizja FOL ka vazhduar debatin e gjashtë me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike” edhe në komunën e Klinës

Klinë, 13 prill 2010 – Lëvizja FOL ka vazhduar debatin e gjashtë me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike” edhe në komunën e Klinës

Klinë, 13 prill 2010 – Lëvizja FOL ka vazhduar debatin e gjashtë me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike” edhe në komunën e Klinës. Të ftuar në këtë debat ishin përfaqësues të asamblesë komunale, përfaqësues të shoqërisë civile qytetar dhe mediat. Ndërkaq panelist në këtë tryezë ishin Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL dhe Fadil Gashi, kryesues i Kuvendit Komunal të Klinës.
Ky ishte raundi i parë i debateve nëpër komuna të Kosovës sa i përket konfliktit të interesit dhe hartimit të rregulloreve për këtë fushë.

Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, tha se ky është debati i gjashti që po e mbajmë më ketë temë nëpër komuna të Kosovës. “Qëllimi ynë është të debatojmë për ligjet siç është ky, në mënyrë që të filloj të zbatohet, por edhe të plotësohet me rregullore komunale që brenda institucioneve publike të mos ketë konflikt interesi. Ne jemi duke identifikuar raste të konfliktit të interesit dhe më pas ti dërgojmë në Agjencionin Antikorrupsion dhe në Prokurori”.

Fadil Gashi, kryesues i Kuvendit Komunal të Klinës, tha se kjo komunë ende nuk ka krijuar rregullore për parandalimin e konfliktit të interesit, mirëpo ajo shumë shpejt do të jetë në asamblenë komunale. “Inicimi për një rregullore të tillë e kam bërë unë, dhe besoj se shumë shpejt do të jetë në asamble për miratim” Gashi tha se ky ligj ka shumë mangësi dhe ai po ashtu duhet të harmonizohet me ligjin për Agjencionin Anti korrupsion, me ligjin Vetëqeverisje lokale.

Haxhi Ibishi përfaqësues i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin Komunal të Klinës tha se mungon transparenca e pushtetit lokal saqë edhe ne vet që jem të zgjedhurit popullit në komunë nuk kemi qasje në dokumente zyrtare, dhe kjo gjë e vështirëson mundësinë e identifikimit të rasteve të tilla.

Blerta Maliqaj, përfaqësuese e PDK-së në Kuvendin Komunal të Klinë, parti kjo e cila është në pushtet në këtë komunë, ka mohuar se ka raste të konfliktit të interesit në komunën e Klinës. “Me aq sa unë kam informata në komunën tonë nuk ka raste të konfliktit të interesit”.

Tryezë: “Parandalimi i Konfliktit të interesit në institucionet publike ne Kamenice”

April 14, 2010

Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike ne Kamenice

Kamenicë, 31 mars 2010 – Me qëllim të implementimit sa më të mirë të ligjeve, të cilat tashmë janë në fuqi, Lëvizja FOL është duke organizuar debate në nivel të Kosovës për identifikimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit në institucione publike, projekt ky i financuar nga NED-National Endowment for Democracy. Në kuadër të kësaj, Lëvizja FOL ka organizuar në Kamenicë, debat publik me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike”. Të ftuar në këtë debat ishin përfaqësues të asamblesë komunale, përfaqësues të shoqërisë civile qytetar dhe mediat. Ndërkaq panelist në këtë tryezë ishin Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL dhe Enver Mavriqi, kryesues i Kuvendit Komunal.

Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, tha se zbatimi i ligjit për parandalim të konfliktit të interesit, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës, do të jetë shumë i rëndësishëm, derisa debatet që po mbahen në disa komuna të Kosovës, kanë për qëllim të nisin hetimet nga organet përgjegjëse për ato raste të konfliktit të interesit që paraqiten përmes mediave dhe organizatave të ndryshme.

Enver Mavriqi, kryesues i Kuvendit Komunal tha se përveç dyshimeve ende nuk kemi fakte konkrete për raste të konfliktit të interesit. “Kemi pasur vetëm 4 raste ku kanë qenë edhe këshilltar komunal edhe punëtorë të komunës, mirëpo me dorëzimin e formularëve ata kanë dhënë dorëheqje nga njëra pozitë”.
Sipas tij, përderisa nuk ka transparencë dyshime për konflikt të interesit dhe korrupsionit do të jetë gjithmonë prezent.

Sanije Ajeti nga OJQ “Fortesa”, tha se ka tri vite që janë vetëm dy kompani të cilat i fitojnë të gjithë tenderët e komunës së Kamenicës. Ajo po ashtu pyeti kryesuesin e Kuvendit Komunal nëse është konflikt interesi edhe krijimi i 11 drejtorive të kësaj komune. Sipas saj, në komunën e Kamenicës punësimet bëhen në baza partiake e familjare.
Po ashtu kjo komunë ka dhënë leje për ushtrimin e veprimtarive private brenda institucioneve publike, të cilat qojnë në raste të konfliktit të interesit

Odisejada e riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

March 4, 2010

Odisejada e Riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Analizë e shkurtër e procesit

Më në fund ka përfunduar odisejada e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar këtë javë gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, Prokurorëve të shtetit dhe atyre të Prokurorisë Speciale.

Fejzullah Hasani është zgjedhur kryetar i Gjykatës Supreme, Ismet Kabashi, kryeprokuror i Shtetit dhe Sevdie Morina zëvendësprokurore e Prokurorisë Speciale. Ky vendim përshëndetët nga Lëvizja FOL dhe shihet si një hap i mirë për nisjen e punëve të mira në sistemin e drejtësisë, sistem ky më i kritikuari dhe më i përfshiri në afera korrupsioni. Dekretimi nga presidenti është bërë pasi në zyrën e tij kanë qëndruar për më shumë së dy muaj emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky vendim ishte vonuar për një kohë të gjatë për arsyeje “objektive”. Vonesa e dekretimit të tyre ka ngjallur dyshime në kohën e zgjedhjeve lokale se presidenti Sejdiu po shantazhon kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, e cila ishte në listën e gjyqtarëve për Gjykatën Supreme të Kosovës.

Por me këtë dekretim problemi nuk është zgjedhur. Nga procesi i riemërimit është arritur të përzgjidhen vetëm tetë gjyqtarë të Supremes përfshirë edhe kryetarin dhe jo 15 sa nevojiten. Po ashtu edhe në prokurori janë zgjedhur vetëm katër prokurorë përfshirë edhe kryeprokurorin dhe jo 7 sa është e paraparë. Vetëm në Prokurorinë Speciale janë zgjedhur 10 prokurorë aq sa kërkohen. Kjo mbase është një lajm i mirë pasi që kjo prokurori merret me ndjekjen e krimit të organizuar. Puna e kësaj prokuroria deri tash nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret.

Procesi i zgjedhjes së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve është përcjellë me mungesë të transparencës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka lejuar që procesi milionësh i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Amerikane t’i nënshtrohet një debati të mirëfilltë. Procesi madje është përcjell edhe me konflikt të hapur interesi pasi përbërja aktuale e cunguar e Këshillit Gjyqësor të Kosovës përbëhet nga avokatë aktiv.

Tre anëtarët vendor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë avokatë, ndërsa dy anëtar të tjerë janë ndërkombëtarë. Që prej një viti ky organ i pavarur funksionon vetëm me pesë anëtarë e jo me 13 siç parashihet me ligj. Këtyre avokatëve u është besuar përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, kryetarit të kësaj gjykate, prokurorëve të shtetit dhe kryeprokurorit.

Kryesuesja e KGJK-së, Lirie Osmani, (shqiptare) Bilgaip Maznikar (me kombësi turke) dhe Zhivojin Jokanoviq (me kombësi serbe) anëtarë të KGJK-së, që të tre ushtrojnë profesionin e avokatit. Anëtarë të KGJK-së janë edhe dy ndërkombëtarë, Gabriela Walentich dhe Harri Katara.

Anëtarët vendas si avokat kanë lëndë nëpër Gjykata të ndryshme të Kosovës dhe në Gjykatën Supreme. Duke qenë se kanë lëndë të hapura nëpër gjykata dhe kanë në dorë të ardhmen dhe karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për riemërim, kjo përbënë konflikt të hapur interesi. Krejt lehtë këta avokatë kanë mundur që të kushtëzojnë riemërimin e ndonjë gjyqtari apo prokurori me shpalljen e ndonjë aktgjykimi në favor të klientëve të tyre. Me raste edhe e kanë bërë këtë.

Pushteti i dhënë njërit nga anëtarët e KGJK-së ka bërë që një gjyqtare e gjykatës komunale e propozuar nga Komisioni Prokurorial dhe Gjyqësor për gjyqtare të Gjykatës Supreme është eliminuar apriori. Madje ky anëtar i KGJK-së i ka dërguar fjalë nëpërmjet njerëzve kësaj gjyqtareje se “Unë të kam hequr nga lista”. Kjo tregon për një shkallë të lartë të konfliktit të interesit në këtë institucion.

Njëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zhivojin Jokanoviq, ka disa lëndë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe në Gjykatën Supreme.

Përveç konfliktit të interesit, përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 108 pika 6 i Kushtetutës që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thotë:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:

1. Pesë anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit;

2. Katër anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy nga katër anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës;

3. Dy anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;

4. Dy anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;…

Përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk i ka 13 anëtarë, asnjë nuk është gjyqtar apo prokuror.

Zgjedhja e këtyre anëtarëve të KGJK-së ishte bërë si zgjidhje emergjente dhe e përkohshme deri në kompletimin e KGJK-së për të zhbllokuar procesin e riemërimit deri në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe gjyqtarëve të kësaj gjykate e po ashtu edhe kryeprokurorit dhe prokurorëve të shtetit. Mirëpo kjo zgjidhje e përkohshme ka mundësuar zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve me mandat të përhershëm deri në pensionimin e tyre.

Presidenti ka mundur që t’ia vazhdonte mandatin kryesuesit të KGJK-së, Rexhep Haxhimusës edhe për një kohë derisa të riemëroheshin gjyqtarët dhe prokurorët tjerë. Këtë ka mundur ta bëjë pasi që Rexhep Haxhimusa, tashmë ka mbushur moshën e pensionit dhe nuk ka të drejtë të ushtrojë më profesionin e gjyqtarit. Ka mundur po ashtu t’i emëronte anëtar të KGJK-së edhe dy gjyqtarë tjerë të Gjykatës Supreme të cilët kanë mbërritur moshën e pensionit. Dy prej tyre janë Agim Krasniqi dhe Zahit Xhemajli.

Ata do të mund të merreshin me riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë së Shtetit të cilët pastaj do të zinin vende në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe jo të ndodhte shkelja e Kushtetutës dhe të mundësohej konflikti i interesit.

Por ajo që është edhe më e çuditshme, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon të marr vendime “Ad hoc” të kualifikuara si emergjente. Të enjten në mbledhjen e vet duke e parë se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të riemëruar nuk e plotëson as për së afërmi numrin e nevojshëm ka marrë vendim që t’u lejojë të punojnë pesë gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe tre prokurorëve të Prokurorisë së Kosovës edhe për një kohë derisa të shpallet konkursi i ri i cili mund të zvarritët pafundësisht. Pavarësisht se ata kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret për riemërim, do të vazhdojnë të marrin vendime vendimtare për fatin e njerëzve. Njëri nga kandidatët për Kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, por që nuk ka arritur të bëhet as gjyqtar në intervistë para komisionit nuk kishte arritur ta arsyetonte pasurinë e tij të madhe dhe paratë në llogari.

Kjo kishte bërë që ai të s’kualifikohet por që do të vazhdojë të ndajë drejtësi edhe për një kohë pasi këtë po ia mundëson KGJK-ja.

Pavarësisht bërjes së një hapi, sistemi i drejtësisë është në krizë të thellë.

Përbërja aktuale e Gjykatës Supreme nuk ka arritur që t’i kryej as gjysmën e punëve. Efikasiteti në punën e Gjykatës Supreme nuk ka qenë në nivel të duhur, e posaçërisht në përfundimin e procedurës penale për të mitur, ku 50 % e lëndëve janë të pazgjidhura. Sipas procedurës penale civile mbi 50%  e lëndëve janë të pazgjidhura, gjithashtu, në procedurën e revizionet janë 850 lëndë të pazgjidhura, në veçanti më se 70 % janë në konteste ekonomike e që zgjidhja e tyre ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Kjo është një alarm për veprime emergjente.  Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët dekretohen nga presidenti i Republikës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, emrat e të rekomanduarve i ka dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës më 18 shtator. Procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur zyrtarisht më 13 shkurt të vitit 2009 dhe është financuar nga Komisionit Evropian me 5.5 milion euro dhe nga Qeveria Amerikane me 1 milion euro.

Procesi i riemërimit të gjyqtarëve është ndarë në katër faza ndërsa si i tillë është paraparë të përfundoj për 18-24 muaj. Faza e parë ka përfshirë testin e etikës, faza e dytë aplikimin për pozita në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Kosovës, faza e tretë aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokurorit e Qarkut dhe faza e katërt aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokuroritë Komunale si dhe në Gjykatat për Kundërvajtje.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është organi më i lartë i sistemit gjyqësor në Kosovë. Ky Këshill është përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor si të tërë. KGJK është themeluar në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2005/52 të datës 20 dhjetor 2005 Mbi Themelimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. KGJK është një organ profesional nën autoritetin suprem të presidentit të Republikës dhe ka pavarësi të plotë në kryerjen e funksioneve të tij.

KGJK vepron për të ruajtur një sistem gjyqësor profesional, të pavarur, të paanshëm, të integruar, të drejtë dhe efikas. KGJK është kompetent dhe përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve porotë, për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve porotë në raste të sjelljes së pahijshme, për zhvillimin profesional të tyre.

E gjithë puna dhe funksionimi i KGJK-së mbështetet nga Sekretaria. Sekretaria e KGJK-së e udhëhequr nga Drejtori që zgjidhet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i ndihmon KGJK-së në punën e tij. Sekretaria e këshillon dhe e ndihmon KGJK-në në kryerjen e përgjegjësive të tij, në menaxhimin e gjyqësorit dhe të gjykatave dhe është përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të Këshillit, si dhe është përgjegjëse për të gjitha funksionet administrative dhe të hulumtimit që ndërlidhen me përkrahjen e Këshillit, në pajtim me rregulloren e punës së Këshillit

KGJK përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, prej të cilëve shtatë janë gjyqtarë ose prokurorë dhe katër janë jo-gjyqtarë. Në kuadër të KGJK-së funksionojnë 8 Komisione

Trajnim për legjislacionin kundër konfliktit të interesit

January 29, 2010

17 Nentor 2009, Prishtine: Në kuadër të projektit “Luftimi i Konfliktit të Interesit” i mbeshtetur nga NED (www.ned.org) Lëvizja FOL ka organizuar një trajnim për legjislacionin kundër konfliktit të interesit për përfaqësues të shoqërisë civile nga Lipjani, Malisheva, Vushtrri, Mitrovica, Klina dhe Ferizaj.

Tryezë në Lipjan: “Parandalimi i Konfliktit te interesit në institucionet publike”

January 29, 2010

Tryeza ne Lipjan per Konfliktin e Interesit

Lipjan, 27 janar 2010 – Lëvizja FOL ka vazhduar debatin me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike” edhe në komunën e Lipjanit. Të ftuar në këtë debat ishin përfaqësues të asamblesë komunale, përfaqësues të shoqërisë civile qytetar dhe mediat. Ndërkaq panelist në këtë tryezë ishin Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL dhe Halit Gashi, drejtor i administratës në Komunën e Lipjanit.
Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, tha se ky është debati i katërt që po e mbajmë më ketë temë nëpër komuna të Kosovës. “Qëllimi ynë është të debatojmë për ligjet siç është ky, në mënyrë që të filloj të zbatohet, por edhe të plotësohet me rregullore komunale që brenda institucioneve publike të mos ketë konflikt interesi”. Sipas Zogajt, Komuna e Lipjanit i ka gjasat më të mëdha për ta parandaluar konfliktin e interesit tash në fillim të qeverisjes së re.
Halit Gashi, drejtor i administratës në Komunën e Lipjanit – tha ky ligj është një bazë e mirë në të cilin mund të nisemi në parandalimin e konfliktit të interesit. “Edhe para aprovimit të këtij ligji, kanë qenë rregulloret e UNMIK-ut që e kanë përfshirë pak a shumë konfliktin e interesit por jo në nivelin që e përfaqëson ky ligj, me gjithë mangësit që ka. Ndonëse për zbatimin e këtij ligji kompetente është agjencia anti korrupsion, mirëpo mendoj se nuk duhet të jetë vetëm agjencioni i përfshirë këtu por të gjitha institucionet”, tha Gashi. Sipas tij edhe Ligji për vetëqeverisje lokale i ka disa dispozita ku e specifikon konfliktin e interesit. “Edhe statuti që është nxjerr në bazë të këtij ligji e ka rregulluar çështjen e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të funksionit publik”. Sipas Gashit kanë qenë dy raste në komunën e Lipjanit ku është paraqitur konflikti i interesit. “Kemi pasur dy raste, ku njëri ishte një këshilltar komunal, i cili konkurroj edhe për kryeshef të ekzekutivit, mirëpo ai u largua në momentin kur u votua ajo qështje. Ndërkaq rasti i dytë është dorëheqja e një anëtari të zgjedhur, për të mbajtur një post të shërbyesit civil” . Gashi tha se në komunën e Lipjanit funksionon shumë mirë trekëndëshi mes komunës, Agjencionit dhe Prokurorisë.
Xhavit Dakaj, udhëheqës i personelit në Komunën e Lipjanit, tha se ka pasur edhe raste tjera, kur anëtari i komisionit në rastin konkret është tërhequr nga vendimi për shkak të interesave që ka pasur. Rastet e tilla tek ne kanë vështirësi të prezantohen pasi që po ka ndikim pastaj te ai person. “Ka pas rast kur një zyrtar komunal s’ka pas të drejtë të nënshkruaj një vendim dhe ai e ka bërë këtë, dhe ka hesht. Kështu që opinioni nuk ka arritur të kuptoj krejt atë që ka ndodhur”.
Lumturije Bytyqi, këshilltare nga AKR-ja, tha se për të fituar një vend pune duhet të jesh ose nga radhët e partisë në pushtet, ose me qenë e afërt e drejtori ku konkurron. “Nëse një qytetar reagon ai do ti bëj vetëm keq vetës, sepse në të ardhmen nuk do të gjej punë askund. Po ashtu edhe te caktimi i tenderëve, fitojnë ata që ia mbushin xhepat më shumë komunarëve”.

Tryezë në Podujevë: “Parandalimi i Konfliktet e interesit në institucionet publike”

January 26, 2010

Podujevë, 26 janar 2010 – Me qëllim të implementimit sa më të mirë të ligjeve, të cilat tashmë janë në fuqi, Lëvizja FOL është duke organizuar debate në nivel të Kosovës për identifikimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit në institucione publike. Në kuadër të kësaj, Lëvizja FOL ka organizuar në Podujevë, debat publik me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike”. Të ftuar në këtë debat ishin përfaqësues të asamblesë komunale, përfaqësues të shoqërisë civile qytetar dhe mediat. Ndërkaq panelist në këtë tryezë ishin Petrit Zogaj nga Lëvizja FOL dhe Faik Muqiqi, këshilltar politik në kabinetin e kryetarit të komunës së Podujevës
Petrit Zogaj, menaxher i programeve në Lëvizjen FOL, tha se ky është debati i tretë që po e mbajmë më ketë temë nëpër komuna të Kosovës. “Ideja pse jemi tërhequr nga Prishtina dhe kemi vendosur që këtë debat ta zhvendosim edhe nëpër komuna tjera është se në Prishtinë është vendosur pjesa më e madhe organizatave joqeveritare dhe janë anashkaluar qytetet tjera të Kosovës”. Sipas tij, Agjencioni Antikorrupsion ende nuk ka shifra se sa raste të konfliktit të interesit janë paraqit të ajo”.

Zogaj tha se për shkak se e vlerësojmë si të rëndësishëm këtë ligj, ne po tentojmë që të bëjmë presion të Agjencioni Antikorrupsion dhe në Prokurori, që të nisin hetimet për ato raste ku përmes medieve apo edhe nga organizata të ndryshme është treguar se ka konflikt interesi.

Faik Muqiqi, këshilltar politik në kabinetin e kryetarit të komunës së Podujevës tha se sensibilizimi i një çështje të tillë duhet të jetë i përhershëm, sepse shumë ligje po ngecin. Duke numëruar mungesat e këtij ligji, ai tha se aty janë përfshirë të gjithë zyrtarët. “Aty përmendet drejtori, por jo edhe zëvendës drejtori”
Sipas tij janë të pakta rastet me konflikt interesi në komunën e Podujevës. “Janë rreth shtatë raste në komunë, ku disa këshilltar komunal në të njëjtën kohë kanë qenë edhe drejtor të shkollave. Mirëpo nuk kemi pasur asnjë rast ku kryetari i komunës është përjashtuar nga vendimmarrja për shkak të konfliktit të interesit”, tha Muqiqi.
Sipas tij, këtë vit janë lajmëruar shërbyesit civil se nuk ju lejohet të kenë dy poste.

Fazli Veliu, gazetar, tha se konflikti i interesit nuk është korrupsion. Mirëpo ai prodhon korrupsion. “Kemi pas raste publikisht i kanë dhënë vende të punës familjarëve të tyre. Ligjet me të metat e tyre që i kanë nuk po arrijnë me u implementu” .

Lutfi Rexhepi ish – këshilltar i asamblenë komunale të Podujevës tha se Ligjet nuk janë të definuara shumë qartë. Është kaluar një mandat i tërë në heshtje, ku në Komunën e Podujevës kanë qenë këshilltarët ku sipas Ligjit për Vetëqeverisje lokale ata nuk kanë mundur të ushtrojnë funksionin e tyre, mirëpo nuk janë larguar. “Efekti është se po mungon dëshira politike për të implementuar këtë ligj. Në mandatin e shkuar kemi bërë edhe shkresë zyrtare kryetarit që i kemi kërkuar pikërisht eliminimin e konfliktit të interesit, mirëpo asnjë herë nuk është ndërmarrë asgjë”.
Naim Qunaku, këshilltar në asamblenë komunale të Podujevës, tha se në një vend ku ligji qitet nëpër oda aty nuk ka demokraci. “Jemi të prirur të merremi me mangësi.

Ne mund të themi se këtu në Podujevë mund ta eliminojmë konfliktin e interesit mirëpo ata në Gllogovc nuk po mund ta bëjnë një gjë të tillë, kështu nuk është e bëjmë as ne”. Sipas tij, ato komuna të cilat e zbatojnë ligjin për vetëqeverisje lokale, mund të fitojnë grante deri në 70 mijë euro. Mirëpo qytetarët tanë nuk e dinë se shkaku se një këshilltarë komunal e mban edhe një post tjetër, i kanë humb ato mjete ka mundur ta fitoj komuna e tyre”.

Agim Sheholli qytetar, tha se asnjë Ligj në Kosovë nuk është ka zbatohet. “Nuk e respektojnë ata të cilët vet i hartojnë këto ligje, ku presin nga qytetarët me i respektuar. Konflikti i interesit nuk është asgjë tjetër përveç se hajni”.

Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit merr kritika në Mitrovicë

January 26, 2010

Tryeza
Gjate tryezes ne Mitrovice

Mitrovicë 20 Janar 2010: Ligji për parandalimin e konfliktit të interesit merr kritika në MitrovLigji për parandalimin e konfliktit të interesit është kritikuar nga pozita dhe opizita mitrovicase dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët konsideruan se ky ligj ka shumë mangësi sidomos sa i përket masave sanksionuese dhe si i tillë nuk mund të zbatohet.
Këto vlerësime janë dhënë në debatin e organizuar nga Lëvizja FOL, me temën “Parandalimi i Konfliktit të Interesit në institucionet Publike”, që sipas organizatorëve kishte për qëllim identifikimin dhe parandalimin e konfliktit të interesit në institucione publike.
Petrit Zogaj, drejtor i programeve në Lëvizjen FOL, tha se “Një ndër objektivat fillestare është të lidhemi me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, që njerëzit ta lexojnë atë dhe të mendojnë për strukturat tjera si policinë, gjykatatë, qeverinë se a ka konflikt interesi nëpër struktura të tilla”.
Sipas tij, ky ishte debati i dytë i organizuar në këtë drejtim, ndërkohë që do të vazhdohet me mbajtjen e tyre edhe në disa komuna të Kosovës dhe nga diskutimet e pejsëmarrësve dhe raportet tjera do të publikohet edhe një dosje e konfliktit të interesit.
“Ende nuk është duke u kuptuar se Konflikti i interesit është korrupsion në thelb dhe Agjencioni Antikorrupsion si organ kompetent për trajtimin e konfliktit të interesit ende nuk ka shifra në lidhje me rastet e paraqitura të kësja vepre” tha Zogaj.
Kryesuesi në largim i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Ahmet Tmava ka kritikuar ligjin në fjalë për faktin se ai u referohet vetëm nivelit lokal e jo edhe atij rajonal, gjë që në njëfarë mënyre liron dikë nga kjo vepër.
Duke iu referuar mandatit të kaluar, ai tha se nuk është në dijeni për ekzistimin e rasteve të konfliktit të interesit, ndërkaq shtoj se shoqëria civile duhet të motivoj qytetarët për të luftuar dukuritë negative, e jo duke i bombarduar ata me konflikt interesi, pa ofruar argumente për këtë.
Ndonëse në seancën e radhës të KK-së pritet të zgjidhet kryesuesi i ri i Asamblesë Komunale të Mitrovicës, Tmava, partia e të cilit ka rifituar pushtetin premtoj se si të shpallet Bordi i drejtorëve do të kërkojnë me automatizëm nga drejtorët që aty ku mund të ketë konflikt interesi të heqin dorë.
“Ligji është i pa mëshirshëm ai në mënyrë selektive e pasqyron kush mund të jetë edhe kush nuk mund të jetë kur përqendrohemi vetëm në nivel komunal. Zgjerimi më i madh në vendimmarrje është parandalim i konlfliktit të interesit” tha Tmava.
Faton Peci, këshilltarë i LDK-së në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, tha se shoqëritë që kanë arritur në sistemin e vlerave të demokracisë e kanë të qartë parandalimin e konfliktit të interesit.
Sipas tij, përveq se ligji ka mangëse, në Kosovë si në nivelin lokal ashtu edhe qëndror mungon vullneti politik për me vendos rregull sa i përket konfliktit të interesit.
“Unë njoh shumë zyrtar që kanë qenë pjesë e komunës dhe pjesë e Asamblesë, e këtu ka konflikte të hapura të interesit”, tha Peci, duke shtuar se duhet të ketë qartësi për përgjegjësit dhe kompetencat për parandalimin e konfliktit të interesit.
Nystret Muhaxheri këshilltar i ORA-së, vlerësoj se ligji për të cilin zhvillohej debati është ligj i cili nuk ka gjetur zbatim.
Sipas tij në këtë ligj mungojnë nenet të cilat janë kyçe për zbatimin e tij, për shkak se nuk ka përgjegjësi dhe se qëllimi thelbësor i tij është largimi i ndikimit të politikës në jetën normale të administrimit të jetës në Kosovë.
“Në Mitrovicë ka shumë raste të konfliktit të interesit, sepse partia është mbi ligjin edhe për ata nuk ka sanksione. Nëse kish me pas ligj që i gjobit ata të cilët bëjnë shkelje të tilla atëherë kish me qenë më ndryshe” tha Maxhera.
Në kontest të prezencës së konfliktit të interesit, ai përmendi raste kur drejtori i shkollës është edhe asamblist komunal.
Mustafë Pllana, këshilltarë nga LDD, tha se kur flitet për konflikt interesi pikërisht bashkësia ndërkombëtare në Mitrovicë ka konflikt interesi.
“Kjo që e kemi tash është prej instalimit të bashkësisë ndërkombëtare. Por si të gjejmë forma për ta parandaluar se nga konflikti i interesit vjen deri të korrupsioni. Është interesant se ambienti i sektorit publik është një dinamike e hatashme dhe është më se e nevojshme parandalimi se gjithmonë është duke ra fytyra e mire e institucioneve publike”, tha Pllana.
Ndonëse sipas tij ligji është i mangët, ai edhe si i tillë duhet të zbatohet me udhëzime administrative, por që sipas tij e tëra varet nga vullneti i njerëzve, gjegjësisht zyrtarëve se sa dëshirojmë të punojnë në parandalimin e këtij fenomeni.
Për Afërdita Syla, nga shoqëria civile, puna është se sa ne dëshirojmë ta kuptojmë dhe sa ne e luftojmë mes veti këtë dukuri. “Pozita nuk ka faj përderisa opozita hesht. Për dy vite nuk kanë fol për asgjë, vetëm kanë ngrit dorën dhe kanë votuar derisa në fushatë janë marrë vetëm me akuza. Shoqëria civile është e vetmja që i ngrit disa gjëra. Duhet të bëhen të gjitha bashkë në mënyrë që të iniciohen këto gjëra” theksoj ajo.
Ndërkaq, Blerim Qela poashtu nga shoqëria civile tha se sikur ta kishim zbatuar këtë ligj sado që është i varfër besoj se s’do t’i kishim as 10 % të problemeve që i ka Kosova sot. Sa i përket Agjencionit Antikorrupsion ai tha se është larg prej asaj që të arrij pavarësinë e vet sa të kryej punën e vet si duhet. 20.01.2010 (KosovaLive)icë


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.