Archive for the ‘Gjyqesori’ category

Odisejada e riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

March 4, 2010

Odisejada e Riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Analizë e shkurtër e procesit

Më në fund ka përfunduar odisejada e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar këtë javë gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, Prokurorëve të shtetit dhe atyre të Prokurorisë Speciale.

Fejzullah Hasani është zgjedhur kryetar i Gjykatës Supreme, Ismet Kabashi, kryeprokuror i Shtetit dhe Sevdie Morina zëvendësprokurore e Prokurorisë Speciale. Ky vendim përshëndetët nga Lëvizja FOL dhe shihet si një hap i mirë për nisjen e punëve të mira në sistemin e drejtësisë, sistem ky më i kritikuari dhe më i përfshiri në afera korrupsioni. Dekretimi nga presidenti është bërë pasi në zyrën e tij kanë qëndruar për më shumë së dy muaj emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky vendim ishte vonuar për një kohë të gjatë për arsyeje “objektive”. Vonesa e dekretimit të tyre ka ngjallur dyshime në kohën e zgjedhjeve lokale se presidenti Sejdiu po shantazhon kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, e cila ishte në listën e gjyqtarëve për Gjykatën Supreme të Kosovës.

Por me këtë dekretim problemi nuk është zgjedhur. Nga procesi i riemërimit është arritur të përzgjidhen vetëm tetë gjyqtarë të Supremes përfshirë edhe kryetarin dhe jo 15 sa nevojiten. Po ashtu edhe në prokurori janë zgjedhur vetëm katër prokurorë përfshirë edhe kryeprokurorin dhe jo 7 sa është e paraparë. Vetëm në Prokurorinë Speciale janë zgjedhur 10 prokurorë aq sa kërkohen. Kjo mbase është një lajm i mirë pasi që kjo prokurori merret me ndjekjen e krimit të organizuar. Puna e kësaj prokuroria deri tash nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret.

Procesi i zgjedhjes së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve është përcjellë me mungesë të transparencës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka lejuar që procesi milionësh i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Amerikane t’i nënshtrohet një debati të mirëfilltë. Procesi madje është përcjell edhe me konflikt të hapur interesi pasi përbërja aktuale e cunguar e Këshillit Gjyqësor të Kosovës përbëhet nga avokatë aktiv.

Tre anëtarët vendor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë avokatë, ndërsa dy anëtar të tjerë janë ndërkombëtarë. Që prej një viti ky organ i pavarur funksionon vetëm me pesë anëtarë e jo me 13 siç parashihet me ligj. Këtyre avokatëve u është besuar përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, kryetarit të kësaj gjykate, prokurorëve të shtetit dhe kryeprokurorit.

Kryesuesja e KGJK-së, Lirie Osmani, (shqiptare) Bilgaip Maznikar (me kombësi turke) dhe Zhivojin Jokanoviq (me kombësi serbe) anëtarë të KGJK-së, që të tre ushtrojnë profesionin e avokatit. Anëtarë të KGJK-së janë edhe dy ndërkombëtarë, Gabriela Walentich dhe Harri Katara.

Anëtarët vendas si avokat kanë lëndë nëpër Gjykata të ndryshme të Kosovës dhe në Gjykatën Supreme. Duke qenë se kanë lëndë të hapura nëpër gjykata dhe kanë në dorë të ardhmen dhe karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për riemërim, kjo përbënë konflikt të hapur interesi. Krejt lehtë këta avokatë kanë mundur që të kushtëzojnë riemërimin e ndonjë gjyqtari apo prokurori me shpalljen e ndonjë aktgjykimi në favor të klientëve të tyre. Me raste edhe e kanë bërë këtë.

Pushteti i dhënë njërit nga anëtarët e KGJK-së ka bërë që një gjyqtare e gjykatës komunale e propozuar nga Komisioni Prokurorial dhe Gjyqësor për gjyqtare të Gjykatës Supreme është eliminuar apriori. Madje ky anëtar i KGJK-së i ka dërguar fjalë nëpërmjet njerëzve kësaj gjyqtareje se “Unë të kam hequr nga lista”. Kjo tregon për një shkallë të lartë të konfliktit të interesit në këtë institucion.

Njëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zhivojin Jokanoviq, ka disa lëndë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe në Gjykatën Supreme.

Përveç konfliktit të interesit, përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 108 pika 6 i Kushtetutës që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thotë:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:

1. Pesë anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit;

2. Katër anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy nga katër anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës;

3. Dy anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;

4. Dy anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;…

Përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk i ka 13 anëtarë, asnjë nuk është gjyqtar apo prokuror.

Zgjedhja e këtyre anëtarëve të KGJK-së ishte bërë si zgjidhje emergjente dhe e përkohshme deri në kompletimin e KGJK-së për të zhbllokuar procesin e riemërimit deri në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe gjyqtarëve të kësaj gjykate e po ashtu edhe kryeprokurorit dhe prokurorëve të shtetit. Mirëpo kjo zgjidhje e përkohshme ka mundësuar zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve me mandat të përhershëm deri në pensionimin e tyre.

Presidenti ka mundur që t’ia vazhdonte mandatin kryesuesit të KGJK-së, Rexhep Haxhimusës edhe për një kohë derisa të riemëroheshin gjyqtarët dhe prokurorët tjerë. Këtë ka mundur ta bëjë pasi që Rexhep Haxhimusa, tashmë ka mbushur moshën e pensionit dhe nuk ka të drejtë të ushtrojë më profesionin e gjyqtarit. Ka mundur po ashtu t’i emëronte anëtar të KGJK-së edhe dy gjyqtarë tjerë të Gjykatës Supreme të cilët kanë mbërritur moshën e pensionit. Dy prej tyre janë Agim Krasniqi dhe Zahit Xhemajli.

Ata do të mund të merreshin me riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë së Shtetit të cilët pastaj do të zinin vende në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe jo të ndodhte shkelja e Kushtetutës dhe të mundësohej konflikti i interesit.

Por ajo që është edhe më e çuditshme, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon të marr vendime “Ad hoc” të kualifikuara si emergjente. Të enjten në mbledhjen e vet duke e parë se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të riemëruar nuk e plotëson as për së afërmi numrin e nevojshëm ka marrë vendim që t’u lejojë të punojnë pesë gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe tre prokurorëve të Prokurorisë së Kosovës edhe për një kohë derisa të shpallet konkursi i ri i cili mund të zvarritët pafundësisht. Pavarësisht se ata kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret për riemërim, do të vazhdojnë të marrin vendime vendimtare për fatin e njerëzve. Njëri nga kandidatët për Kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, por që nuk ka arritur të bëhet as gjyqtar në intervistë para komisionit nuk kishte arritur ta arsyetonte pasurinë e tij të madhe dhe paratë në llogari.

Kjo kishte bërë që ai të s’kualifikohet por që do të vazhdojë të ndajë drejtësi edhe për një kohë pasi këtë po ia mundëson KGJK-ja.

Pavarësisht bërjes së një hapi, sistemi i drejtësisë është në krizë të thellë.

Përbërja aktuale e Gjykatës Supreme nuk ka arritur që t’i kryej as gjysmën e punëve. Efikasiteti në punën e Gjykatës Supreme nuk ka qenë në nivel të duhur, e posaçërisht në përfundimin e procedurës penale për të mitur, ku 50 % e lëndëve janë të pazgjidhura. Sipas procedurës penale civile mbi 50%  e lëndëve janë të pazgjidhura, gjithashtu, në procedurën e revizionet janë 850 lëndë të pazgjidhura, në veçanti më se 70 % janë në konteste ekonomike e që zgjidhja e tyre ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Kjo është një alarm për veprime emergjente.  Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët dekretohen nga presidenti i Republikës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, emrat e të rekomanduarve i ka dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës më 18 shtator. Procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur zyrtarisht më 13 shkurt të vitit 2009 dhe është financuar nga Komisionit Evropian me 5.5 milion euro dhe nga Qeveria Amerikane me 1 milion euro.

Procesi i riemërimit të gjyqtarëve është ndarë në katër faza ndërsa si i tillë është paraparë të përfundoj për 18-24 muaj. Faza e parë ka përfshirë testin e etikës, faza e dytë aplikimin për pozita në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Kosovës, faza e tretë aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokurorit e Qarkut dhe faza e katërt aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokuroritë Komunale si dhe në Gjykatat për Kundërvajtje.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është organi më i lartë i sistemit gjyqësor në Kosovë. Ky Këshill është përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor si të tërë. KGJK është themeluar në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2005/52 të datës 20 dhjetor 2005 Mbi Themelimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. KGJK është një organ profesional nën autoritetin suprem të presidentit të Republikës dhe ka pavarësi të plotë në kryerjen e funksioneve të tij.

KGJK vepron për të ruajtur një sistem gjyqësor profesional, të pavarur, të paanshëm, të integruar, të drejtë dhe efikas. KGJK është kompetent dhe përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve porotë, për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve porotë në raste të sjelljes së pahijshme, për zhvillimin profesional të tyre.

E gjithë puna dhe funksionimi i KGJK-së mbështetet nga Sekretaria. Sekretaria e KGJK-së e udhëhequr nga Drejtori që zgjidhet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i ndihmon KGJK-së në punën e tij. Sekretaria e këshillon dhe e ndihmon KGJK-në në kryerjen e përgjegjësive të tij, në menaxhimin e gjyqësorit dhe të gjykatave dhe është përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të Këshillit, si dhe është përgjegjëse për të gjitha funksionet administrative dhe të hulumtimit që ndërlidhen me përkrahjen e Këshillit, në pajtim me rregulloren e punës së Këshillit

KGJK përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, prej të cilëve shtatë janë gjyqtarë ose prokurorë dhe katër janë jo-gjyqtarë. Në kuadër të KGJK-së funksionojnë 8 Komisione

Ngecjet në procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë, shqetësuese

January 14, 2010

Prishtinë 12 nëntor 2009 – Lëvizja FOL, ka mbajtur sot konferencën për media, lidhur me ngecjet në procesin e shumë përfolur të riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Kosovë.

Lëvizja FOL, përmes kësaj deklarate publike ka njoftuar autoritetet përgjegjëse, ato vendore e ndërkombëtare, me të gjeturat tona në këtë proces, të nisur zyrtarisht në muajin Shkurt të këtij viti (2009) si dhe rekomandimet që procesi në fjalë të jetë efikas dhe transparent.

I financuar nga Komisionit Evropian me 5.5 mil. € dhe Qeveria Amerikane me 1 mil.€, procesi i riemërimit ka nisur zyrtarisht më 13 shkurt të vitit 2009. Sipas kësaj marrëveshje të nënshkruar procesi i riemërimit të gjyqtarëve është ndarë në katër faza ndërsa si i tillë është paraparë të përfundoj për 18-24 muaj. Faza e parë përfshinë testin e etikës, faza e dytë aplikimin për pozita në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Kosovës, faza e tretë aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokurorit e Qarkut dhe faza e katërt aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokuroritë Komunale si dhe në Gjykatat për Kundërvajtje.

Nga 870 gjyqtarë, prokurorë e juristë të rinj që kanë hyrë në testin e etikës me 26 Prill dhe 23 Maj 2008, 200 prej tyre nuk kanë arritur që t’i plotësojnë 30 nga 50 pyetjet që ishin kusht për kalueshmërinë e testit. Distanca në kohë e mbajtjes së testit në mes të dy grupeve ka bërë që në grupin e parë të ketë më pak kalueshmëri ndërsa në të dytin shumë më shumë.

Ramadan Ilazi, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL deklaroj se ata të cilët nuk e kanë kaluar testin e etikës janë përjashtuar nga vazhdimi i garës për në fazat e tjera për aplikim për pozita konkrete në Gjyqësor dhe Prokurori. Mirëpo, këta persona shumë nga ta të cilët kanë punuar si gjyqtarë apo prokuror kanë vazhduar punën edhe pse nuk kanë kaluar këtë test. “Në anën tjetër largimi i disa prej tyre nga pozitat që kanë, siç është rasti në Gjykatën Komunale të Prishtinës, ku 3 gjyqtar kanë dhënë dorëheqje pas dështimit në testin e etikës ndërsa disa nga të tjerët e kanë paralajmëruar një gjë të tillë, ka ndikuar në efikasitetin e punës së Gjykatës. Numri i lëndëve në këtë gjykatë dhe në të tjerat është në rritje, ndërsa numri i gjyqtarëve në zvogëlim e sipër”, tha Ilazi.

KPGJP (Komisionit të Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial) pas përfundimit të mbajtjes së testit të etikës dhe shpalljes së rezultateve, ka vazhduar me aplikimin e kandidatëve për gjyqtar të Gjykatës Supreme dhe për Prokurorinë e Kosovës, ku për këto pozita kanë aplikuar 56 kandidatë, ndërkaq vetëm 39 prej tyre janë thirrur në intervistë.
Sipas Ramadan Ilazit, pas përfundimit të intervistës nga ana e KPGJP-së, një listë me emrat e personave që kanë kaluar intervistën dhe me rekomandime ka shkuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Mirëpo, Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk kanë bërë transparente listën përkatëse megjithëse janë zotuar për proces transparent. “KPGJP-ja i ka dërguar emrat e të rekomanduarve më 18 shtator, ndërsa KGJK ende nuk ka bërë asnjë veprim konkrete në këtë drejtim. Dhe sipas informacioneve që ne kemi ende nuk ka filluar shqyrtimi i dosjeve.

Kanë kaluar afër dy muaj dhe as më e vogla informatë rreth procesit nuk ka dalë nga KGJK”. Ndërkohë, Mexhide Demolli, menaxhere e zyrës për media në Lëvizjen FOL, tha se donacionet për këtë proces janë të garantuara vetëm deri në tetor të vitit 2010. “Nuk ka garancion që donatorët do të vazhdojnë financimin shtesë të këtij procesi. Nëse vazhdohet me zvarritjet e nisura dhe me shtyrjet e shqyrtimeve, procesi nuk do të përfundoj siç ishte paraparë”, tha Demolli.
Konform ligjit, KPGJP-së i ka ndihmuar Institutit Gjyqësor të Kosovës (IGJK- institucion vendor) që të merret me kandidatët që kanë më pak se shtatë vjet përvojë pune në sistemin e drejtësisë por jo që nuk kanë qenë gjyqtar apo prokuror më parë. Testi është organizuar në zyrën e IGJK-së në formë të shkruar dhe verbale.
Sipas Demollit, rezultatet e publikuara janë ndryshuar dy herë me arsyetimin se janë bërë gabime teknike. “Për më tepër, në mesin e anëtarëve të komisionit (që të gjithë vendor) që kanë kontrolluar punimet me shkrim dhe që i kanë intervistuar kandidatët ka pasur edhe të tillë, dy prej tyre, që nuk e kanë kaluar testin e etikës të organizuar nga KPGJP”, tha ajo.
Duke pasur parasysh tërë këto zhvillime dhe këto ngecje të ngjara në procesin e reformimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, Lëvizja FOL apelon tek institucionet gjegjëse, tek përfaqësuesit e institucioneve që kanë qenë pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes për fillimin e procesit të riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, që të monitorojnë punën e bërë deri më tani dhe punën që është në zhvillim e sipër, me qëllim që në Kosovë të kemi vërtetë një sistem të drejtësisë çfarë e meriton një shtet i ri dhe në tranzicion.
Rekomandime:
1. Institucionet gjegjëse të gjejnë një zgjidhje në mënyrë që të mos kemi paralizim të punës në gjyqësor.
2. KPGJP-ja të vazhdoj ti respektojë afatet duke pasur parasysh se nuk kemi fonde shtesë të garantuara nëse procesi zvarritet.
3. Këshilli Gjyqësor i Kosovës që të jetë më transparent karshi publikut dhe të kryej punën e tij konform ligjit. Kërkojmë që sa më shpejt të përzgjidhet lista në mënyrë që si e tillë të dërgohet në Presidencë për emërime.
4. KPGJP-ja dhe Ministria e Drejtësisë po ashtu duhet ta rishikoj edhe njëherë zgjedhjen e bërë nga IGJK-ja si dhe integritetin moral të disa anëtarëve të komisionit i cili e ka bërë këtë listë dhe të sugjeroj veprime konkrete për eliminimin e lëshimeve.


Follow

Get every new post delivered to your Inbox.