Odisejada e riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Odisejada e Riemërimit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Analizë e shkurtër e procesit

Më në fund ka përfunduar odisejada e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka dekretuar këtë javë gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës, Prokurorëve të shtetit dhe atyre të Prokurorisë Speciale.

Fejzullah Hasani është zgjedhur kryetar i Gjykatës Supreme, Ismet Kabashi, kryeprokuror i Shtetit dhe Sevdie Morina zëvendësprokurore e Prokurorisë Speciale. Ky vendim përshëndetët nga Lëvizja FOL dhe shihet si një hap i mirë për nisjen e punëve të mira në sistemin e drejtësisë, sistem ky më i kritikuari dhe më i përfshiri në afera korrupsioni. Dekretimi nga presidenti është bërë pasi në zyrën e tij kanë qëndruar për më shumë së dy muaj emrat e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky vendim ishte vonuar për një kohë të gjatë për arsyeje “objektive”. Vonesa e dekretimit të tyre ka ngjallur dyshime në kohën e zgjedhjeve lokale se presidenti Sejdiu po shantazhon kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, e cila ishte në listën e gjyqtarëve për Gjykatën Supreme të Kosovës.

Por me këtë dekretim problemi nuk është zgjedhur. Nga procesi i riemërimit është arritur të përzgjidhen vetëm tetë gjyqtarë të Supremes përfshirë edhe kryetarin dhe jo 15 sa nevojiten. Po ashtu edhe në prokurori janë zgjedhur vetëm katër prokurorë përfshirë edhe kryeprokurorin dhe jo 7 sa është e paraparë. Vetëm në Prokurorinë Speciale janë zgjedhur 10 prokurorë aq sa kërkohen. Kjo mbase është një lajm i mirë pasi që kjo prokurori merret me ndjekjen e krimit të organizuar. Puna e kësaj prokuroria deri tash nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret.

Procesi i zgjedhjes së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve është përcjellë me mungesë të transparencës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk ka lejuar që procesi milionësh i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Amerikane t’i nënshtrohet një debati të mirëfilltë. Procesi madje është përcjell edhe me konflikt të hapur interesi pasi përbërja aktuale e cunguar e Këshillit Gjyqësor të Kosovës përbëhet nga avokatë aktiv.

Tre anëtarët vendor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës janë avokatë, ndërsa dy anëtar të tjerë janë ndërkombëtarë. Që prej një viti ky organ i pavarur funksionon vetëm me pesë anëtarë e jo me 13 siç parashihet me ligj. Këtyre avokatëve u është besuar përzgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës, kryetarit të kësaj gjykate, prokurorëve të shtetit dhe kryeprokurorit.

Kryesuesja e KGJK-së, Lirie Osmani, (shqiptare) Bilgaip Maznikar (me kombësi turke) dhe Zhivojin Jokanoviq (me kombësi serbe) anëtarë të KGJK-së, që të tre ushtrojnë profesionin e avokatit. Anëtarë të KGJK-së janë edhe dy ndërkombëtarë, Gabriela Walentich dhe Harri Katara.

Anëtarët vendas si avokat kanë lëndë nëpër Gjykata të ndryshme të Kosovës dhe në Gjykatën Supreme. Duke qenë se kanë lëndë të hapura nëpër gjykata dhe kanë në dorë të ardhmen dhe karrierën e gjyqtarëve dhe prokurorëve për riemërim, kjo përbënë konflikt të hapur interesi. Krejt lehtë këta avokatë kanë mundur që të kushtëzojnë riemërimin e ndonjë gjyqtari apo prokurori me shpalljen e ndonjë aktgjykimi në favor të klientëve të tyre. Me raste edhe e kanë bërë këtë.

Pushteti i dhënë njërit nga anëtarët e KGJK-së ka bërë që një gjyqtare e gjykatës komunale e propozuar nga Komisioni Prokurorial dhe Gjyqësor për gjyqtare të Gjykatës Supreme është eliminuar apriori. Madje ky anëtar i KGJK-së i ka dërguar fjalë nëpërmjet njerëzve kësaj gjyqtareje se “Unë të kam hequr nga lista”. Kjo tregon për një shkallë të lartë të konfliktit të interesit në këtë institucion.

Njëri nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Zhivojin Jokanoviq, ka disa lëndë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë dhe në Gjykatën Supreme.

Përveç konfliktit të interesit, përbërja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Neni 108 pika 6 i Kushtetutës që ka të bëjë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, thotë:

Këshilli Gjyqësor i Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale. Anëtarët emërohen për një mandat pesëvjeçar dhe zgjedhën në këtë mënyrë:

1. Pesë anëtarë do të jenë gjyqtarë të zgjedhur nga anëtarët e gjyqësorit;

2. Katër anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e fituara gjatë ndarjes së përgjithshme të vendeve. Të paktën dy nga katër anëtarët duhet të jenë gjyqtarë, dhe një do të jetë anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës;

3. Dy anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët i mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komunitetit Serb në Kosovë, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;

4. Dy anëtarë i zgjedhin deputetët e Kuvendit, të cilët mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve të tjera, dhe të paktën njëri prej këtyre të dyve, duhet të jetë gjyqtar;…

Përbërja aktuale e Këshillit Gjyqësor të Kosovës nuk i ka 13 anëtarë, asnjë nuk është gjyqtar apo prokuror.

Zgjedhja e këtyre anëtarëve të KGJK-së ishte bërë si zgjidhje emergjente dhe e përkohshme deri në kompletimin e KGJK-së për të zhbllokuar procesin e riemërimit deri në zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe gjyqtarëve të kësaj gjykate e po ashtu edhe kryeprokurorit dhe prokurorëve të shtetit. Mirëpo kjo zgjidhje e përkohshme ka mundësuar zgjedhjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve me mandat të përhershëm deri në pensionimin e tyre.

Presidenti ka mundur që t’ia vazhdonte mandatin kryesuesit të KGJK-së, Rexhep Haxhimusës edhe për një kohë derisa të riemëroheshin gjyqtarët dhe prokurorët tjerë. Këtë ka mundur ta bëjë pasi që Rexhep Haxhimusa, tashmë ka mbushur moshën e pensionit dhe nuk ka të drejtë të ushtrojë më profesionin e gjyqtarit. Ka mundur po ashtu t’i emëronte anëtar të KGJK-së edhe dy gjyqtarë tjerë të Gjykatës Supreme të cilët kanë mbërritur moshën e pensionit. Dy prej tyre janë Agim Krasniqi dhe Zahit Xhemajli.

Ata do të mund të merreshin me riemërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Gjykatës Supreme dhe Prokurorisë së Shtetit të cilët pastaj do të zinin vende në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe jo të ndodhte shkelja e Kushtetutës dhe të mundësohej konflikti i interesit.

Por ajo që është edhe më e çuditshme, Këshilli Gjyqësor i Kosovës vazhdon të marr vendime “Ad hoc” të kualifikuara si emergjente. Të enjten në mbledhjen e vet duke e parë se numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të riemëruar nuk e plotëson as për së afërmi numrin e nevojshëm ka marrë vendim që t’u lejojë të punojnë pesë gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe tre prokurorëve të Prokurorisë së Kosovës edhe për një kohë derisa të shpallet konkursi i ri i cili mund të zvarritët pafundësisht. Pavarësisht se ata kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret për riemërim, do të vazhdojnë të marrin vendime vendimtare për fatin e njerëzve. Njëri nga kandidatët për Kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, por që nuk ka arritur të bëhet as gjyqtar në intervistë para komisionit nuk kishte arritur ta arsyetonte pasurinë e tij të madhe dhe paratë në llogari.

Kjo kishte bërë që ai të s’kualifikohet por që do të vazhdojë të ndajë drejtësi edhe për një kohë pasi këtë po ia mundëson KGJK-ja.

Pavarësisht bërjes së një hapi, sistemi i drejtësisë është në krizë të thellë.

Përbërja aktuale e Gjykatës Supreme nuk ka arritur që t’i kryej as gjysmën e punëve. Efikasiteti në punën e Gjykatës Supreme nuk ka qenë në nivel të duhur, e posaçërisht në përfundimin e procedurës penale për të mitur, ku 50 % e lëndëve janë të pazgjidhura. Sipas procedurës penale civile mbi 50%  e lëndëve janë të pazgjidhura, gjithashtu, në procedurën e revizionet janë 850 lëndë të pazgjidhura, në veçanti më se 70 % janë në konteste ekonomike e që zgjidhja e tyre ka rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik në Kosovë.

Kjo është një alarm për veprime emergjente.  Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, prokurorët dhe gjyqtarët dekretohen nga presidenti i Republikës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Këshilli i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial, emrat e të rekomanduarve i ka dërguar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës më 18 shtator. Procesi i emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur zyrtarisht më 13 shkurt të vitit 2009 dhe është financuar nga Komisionit Evropian me 5.5 milion euro dhe nga Qeveria Amerikane me 1 milion euro.

Procesi i riemërimit të gjyqtarëve është ndarë në katër faza ndërsa si i tillë është paraparë të përfundoj për 18-24 muaj. Faza e parë ka përfshirë testin e etikës, faza e dytë aplikimin për pozita në Gjykatën Supreme dhe në Prokurorinë e Kosovës, faza e tretë aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokurorit e Qarkut dhe faza e katërt aplikimin për pozita në Gjykatat dhe Prokuroritë Komunale si dhe në Gjykatat për Kundërvajtje.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është organi më i lartë i sistemit gjyqësor në Kosovë. Ky Këshill është përgjegjës për administrimin e sistemit gjyqësor si të tërë. KGJK është themeluar në pajtim me Rregulloren e UNMIK-ut Nr. 2005/52 të datës 20 dhjetor 2005 Mbi Themelimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës. KGJK është një organ profesional nën autoritetin suprem të presidentit të Republikës dhe ka pavarësi të plotë në kryerjen e funksioneve të tij.

KGJK vepron për të ruajtur një sistem gjyqësor profesional, të pavarur, të paanshëm, të integruar, të drejtë dhe efikas. KGJK është kompetent dhe përgjegjës për emërimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve porotë, për masat disiplinore ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve porotë në raste të sjelljes së pahijshme, për zhvillimin profesional të tyre.

E gjithë puna dhe funksionimi i KGJK-së mbështetet nga Sekretaria. Sekretaria e KGJK-së e udhëhequr nga Drejtori që zgjidhet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i ndihmon KGJK-së në punën e tij. Sekretaria e këshillon dhe e ndihmon KGJK-në në kryerjen e përgjegjësive të tij, në menaxhimin e gjyqësorit dhe të gjykatave dhe është përgjegjëse për zbatimin e vendimeve të Këshillit, si dhe është përgjegjëse për të gjitha funksionet administrative dhe të hulumtimit që ndërlidhen me përkrahjen e Këshillit, në pajtim me rregulloren e punës së Këshillit

KGJK përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë, prej të cilëve shtatë janë gjyqtarë ose prokurorë dhe katër janë jo-gjyqtarë. Në kuadër të KGJK-së funksionojnë 8 Komisione

Explore posts in the same categories: Gjyqesori, Prokuroria

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s


%d bloggers like this: